
"Kosovës i duhet siguria dhe stabiliteti", ka thënë kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Ali. Sipas tij NATO dhe KFOR janë pjesë e këtij stabiliteti, pasi ata mbrojnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe të komunitetit serb.
"KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë gjithnjë derisa të ketë nevojë, ndoshta disa vite, ndoshta edhe më gjatë”, ka thënë Ali.
Ali ka theksuar se respektohet vendimi i Serbisë që të mos jetë anëtare e NATO-s.
“Nuk është e domosdoshme që Serbia në këtë moment t’i bashkohet NATO-s. Ndoshta kjo do të ndodhë në të ardhmen, porse kjo varet nga qytetarët e Serbisë e jo nga NATO-ja i cili gjithmonë pranon kërkesat për anëtarësim siç ndodhi me vendet tjera të rajonit”, ka thënë për Radio Evropa e Lirë Paolo Ali.
Lidhur me bombardimet e NATO-s, Ali ka thënë se ato kanë ndodhur para 20 vjetësh dhe gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe se nuk duhet harruar se çfarë ka bërë ish-presidenti serb.
“Ajo që ka ndodhur në vitin 1999 është e ngulitur në kujtesën e Serbisë. Sigurisht do të ishin ndryshe gjërat po të sigurohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por nuk guxojmë të harrojmë çfarë ka ndodhur gjatë regjimit të Millosheviqit. Sigurisht se ka pasur gabime por mendoj se situata këtu ka qenë shumë dramatike”, ka thënë Paolo Ali.



