
Rigels Xhemollari, kryetar i Qëndresës Qytetare deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se sipas hulumtimeve të bëra nga qendra, kostot e studimit të një studenti të Universitetit të Mjekësisë janë fryrë në mënyrë që t’i bëhet presion në mënyrë që të firmosin marrëveshjen e ofruar nga qeveria. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij Xhemollari tha se projektligji që deputetët do të votojnë nesër në Parlament ka bërë që një numër i madh maturantësh të transferojnë studimet e tyre në vendet e BE-së. Sipas Xhemollarit, në rrjedhën e debatit për këtë projektligj fshihet dhe një interes privat, pasi për herë të parë është hapur një universitet privat për mjekësinë që ofron të njëjtën tarifë si ai publik. "Duke u nisur nga relacioni i paraqitur ku kostoja për një student mjekësie paraqitet të ishte 6800 euro ne i nisëm një kërkesë Universitetit për të na dhënë informacione si është llogaritur kjo kosto. Nga përgjigjja që morëm nga Universiteti i Mjekësisë vumë re problematika. Universiteti tha se në 2018 kostoja ishte 2300 euro. Çuditërisht pas 4 vitesh kostoja është trefishuar. Kostoja ka shkuar 6400 euro, duke mos ndryshuar as nivelin e shërbimeve, as numrin e pedagogëve. Kontaktuam pedagogët dhe i pyetëm pse është rritur kostoja ata thanë që nuk ka ndryshuar gjë, thjeshtë është fryrë kostoja në mënyrë që t’i bëhet presion studentëve që të firmosin marrëveshjen e ofruar nga qeveria. Ne çdo vit monitorojnë financat e Universiteteve. Kemi parë që shpesh herë paratë që mblidhen nga tarifat e studentëve, shkojnë për dieta, gjëra luksi, karburant dhe nuk shkojnë për shërbime për studentët. Fondi që jepet nga shteti për Universitetet është vetëm fondi për pagat e pedagogëve. Nuk ka rëndësi nëse do flasin apo jo studentët në Parlament. Deputetët janë të vendosur për t’i bllokuar diplomat për 5 vite fëmijëve të atyre që paguajnë taksa dhe kanë për të sjellë pasoja të frikshme për sistemin arsimor. Që këtë vit shumë maturantët dhe ata ekselentët kanë zgjedhur të transferojnë studimet në vendet e BE-së. 40% e maturantëve kanë shprehur dëshirën për të studiuar jashtë vendit. Kjo nuk zgjidhet me mbajtje me zor. Kërkon strategji të mirëkonsultuar me ekspertë. Kushi tha e kemi konsultuar, por nuk na dha të dhënë që ku e fakton që studentët janë dakord. Nuk e shoh si protestë të disa studentëve të mjekësisë, apo të disa maturanteve që do shkojnë në mjekësi, apo të disa prindërve, e shoh si protestë që duhet të përfshihen të gjitha ata që ju rrezikohet një sektor i tërë shërbimesh. Nuk na rrezikohet vetëm shëndetësia, pot shumë shpejt do na rrezikohet IT, mësuesia. Zgjidhja nuk është t'i mbajmë të lidhur. Duhet të nisë debat për t’i motivuar të rinjtë. Protesta nuk është rruga e mjaftueshme, por tregon që nuk janë të gjithë pro, shumica janë kundër. Studentët do ndjekin rrugën ligjore në GJK se bie në kundërshtim me ligjin. Jam dhe pro bojkotit dhe pro çdo mjeti demokratik që kanë në dorë studentët. Në rrjedhën e këtij debati për herë të parë në këtë vit akademik hapet një universitet privat dhe tarifa që ofron është tarifa që ka vendosur Këshilli i Ministrave në projektligj. Pas këtij projektligji, apo debatit fshihet dhe një interes privat. Por nëse një universitet privat ka të njëjtën tarifë sa publiku është absurde se llogaritet dhe fitimi. Kostoja shërben si presion ndaj studentëve, që ditën që do hyjnë në provim të firmosin kontratat që familjet të mos paguajnë një kosto të lartë që është e papërballueshme. Ka probleme ligjore kushtetuese. Është lehtësisht e goditshme në gjykatat e vendit".



