Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo u shpreh i befasuar mbi faktin që nuk pati një mesazh ngushëllimi nga Shqipëria në lidhje me masakrën në Rusi, duke theksuar se një akt i tillë do të ishte në etikën diplomatike dhe morale.
Duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv Milo tha që është e vështirë arritja e një marrëveshjeje për dinarin. Milo tha që qëndrimi i partisë PDP në Malin e Zi kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE tregon influencën e Serbisë në këtë vend, që sipas tij mund të hapë probleme të reja në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur në lidhje me bisedimet për çështjen e dinarit, Milo tha:
Është e vështirë të arrihet një marrëveshje që do të zgjidhte në thelb këtë çështje, sepse palët s’kanë rëndë dakord për mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështje dhe deri ku do të shkohet nëse nuk zgjidhet në themel. Gjithsesi urojmë të ketë ecje përpara sepse është në të mirë të stablitetit të rajonit. Nuk ka garanci apo tregues që mund të paralajmërojnë që mund të ketë sukses. Kurti vetë e ka deklaruar qartazi që nuk pranon t’i largohet vendimit që ka marrë. Kryeministri Kurti në parim ka të drejtë, për të qenë i hapur, sepse në fund të fundit ka të bëjë me ushtrimin e sovranitetit të një vendi të pavarur. Një nga shtetet e pavarura një nga simbolet që ka është monedha e tij. Në rastin kur qarkullon një monedhë tjetër, kjo e minon sovranitetin. Por serbët kanë gjetur një lloj avokatie në Perëndim, qoftë te SHBA dhe BE, sepse ato në radhë të parë duan stabilitetin e rajonit, dhe të mos e largojnë Serbinë te ajo qasje që kanë tani për ta afruar, duke menduar në mënyrë strategjike në raport me Rusinë dhe rivalitetet në rajon. Ka dy përvoja, e para është që kur zgjaten diskutimet ka shumë çështje në kontradiktë, saqë është e vështirë të gjesh fillin dhe kompromisin. Por ka edhe përvoja të tjera që kur zgjaten negociatat ka një dëshirë për kompromis, por në shumicën e rasteve përvojat janë negative, zgjatja nuk sjell konsensus”.
I pyetur për paralajmërimin e Malit të Zi për votë kundër Kosovës në KiE, Milo tha:
Kjo është fare e qartë, që qeveria e re e Malit të Zi, për nga mënyra si u krijua dhe forcat që e përfaqësojnë do të sjellë ndryshime në politikën e jashtme, sidomos në çështjen e Kosovës. Sepse partitë që e përbëjnë kanë thënë me kohë që kundërshtojnë edhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Mali i Zi, ky është qëndrim i qartë që këta janë të influencuar nga Serbia dhe bëjnë lojën e Serbisë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi do të shënonin një rënie, kjo do reflektojë edhe në marrëdhëniet e Malit të Zi me Shqipërinë, pavarësisht se janë dy vende aleate dhe në NATO. Mali i Zi mund të hapë probleme të reja në Ballkanin Perëndimor. Ky qëndrim është një sinjal që Mali i Zi do t’i largohet politikës së ndjekur deri tani me aleatët e saj në NATO”.
Milo tha që arrestimi i Goros nuk do të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.
Nuk e besoj se arrestimi i z.Goro ka të bëjë drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Sepse z.Goro s’është kryetar bashkie i zgjedhur, ai ka qenë. Ai është paraburgosur me akuzën se ka regjistruar një pronë që ishte blerë mbi baza korrupsioni. Nuk përfaqëson një hap që mund të shkrijë ato akuj që janë krijuar në marrëdhëniet shqiptaro-greke, tani për tani. Nëse paralajmëron ky paraburgim një zgjedhje tjetër që do të prekte çështjen Beleri, atëherë mund të mendonim që është një parahistori e një zgjidhje tjetër”.
I pyetur mbi masakrën në Rusi dhe mos reagimin e Tiranës zyrtare, Milo tha:
Unë të them të drejtën u habita, dhe vazhdoj të shfaq habi, se si është e mundur të mos ketë një deklaratë nga institucionet shqiptare për një fatkeqësi të kësaj natyre, që është shkaktuar nga një akt terrorist. Në gjithë botën aktet terroriste dënohen dhe viktimat ngushëllohen. Është në etikën, diplomatikën dhe morale akti i ngushëllimit, sepse mes ata që u vranë ka pasur njerëz të pafajshëm plot. Kur e kanë bërë edhe partnerët, se po mos e kishin bërë edhe SHBA e BE, atëherë do thoshim s’e bëjmë as ne. Por të jesh ndër të paktët vende që s’jep një mesazh të tillë human, është për të ardhur keq, s’ka justifikim”.



