
Pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit, ka reaguar edhe deputeti i LSI për qarkun e Beratit Gledion Rehovica.
Deputeti i LSI ka hedhur poshtë të gjitha këto akuza të prokurorisë që dyshohet se ka qenë i arrestuar në Itali për vjedhje dhe nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
"Ka dy vjet që fryhet dhe mbarset opinion publik me shpifje nga më banalet të ushqyera nga media, politika dhe deri te institucionet publike të pavarura. Deri tani i kam toleruar dhe justifikuar ndaj vetes dhe familjes që janë të ushqyera politikisht. Lehtësisht dhe botërisht e provuar se nuk ka pasur asnjë rast për t'u hetuar, gjykuar apo marrë masë brenda dhe jashtë territorit ndaj meje, gjë të cilën e vërtetoj me dokumente dhe dëshmi të lëshuara nga gjykata, prokuroria dhe policia e shtetit italian", thotë Rehovica.
Më tej i zgjedhuri i LSI thekson se e gjitha kjo është vetëm një lojë e pisët e nisur prej kohësh me hamendësime, akuza dhe lajme të pavërteta në media me qëllim luftën politike dhe përbaltjen time personale.
Në reagimin e tij, deputeti i Beratit deklaron se nuk ka pasur asnjëherë dyshim lidhur me përfshirjen e tij për aktivitete apo veprime kriminale që nënkupton se nuk ka pasur asnjeherë as brenda dhe as jashtë territorit të Republikës hetim, gjykim apo dënim ndaj meje. Kjo është lehtëisht e provuar thotë Rehovica, nga qëndrimet zyrtare të certifikuara nga institucionet kompetente italiane.
"Integriteti dhe origjina ime nuk mund të përdhoset dhe nëpërkëmbet nga askush e aq më pak nga institucionet që duhet të jenë garant për zbatimin e ligjit. Kam qenë dhe jam totalisht i përgjegjshëm për cfarë kam bërë dhe për cfarë nuk kam bërë dhe do t’ikundërpërgjigjem cdo akuze absurde”, thote ai.



