Avokati Kujtim Cakrani thotë se hetimi për grup të strukturuar kriminal, pengmarrje dhe abuzimet me tenderat te AKSHI, është hera e parë që hetimi për grupin kriminal bëhet nën akuzën e pabarazisë në tendera.
Nga studio e “MCN Live”, ai kërkoi që Prokuroria të hetojë se nga e morën informacionin për urdhrin e arrestit që do lëshohej ndaj tyre, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët arritën që të arratisen.
Ndër të tjera Cakrani deklaroi se kupola e Policisë së Shtetit, sot është organizatë kriminale, duke komentuar pezullimin nga detyra të shefit të krimeve të policisë Tiranë, Erion Ismaili.
Sipas tij, polici është vendosur në detyrë që të ruajë shtetin, por ndërkohë bëhet palë me ata që vjedhin shtetin.
Kjo është hera e parë që vendosen persona nën hetim për akuzën e pabarazisë në tendera dhe nën akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Nëse do i referohemi intervistave të ish-zëvendëskryeministrit në arrati Arben Ahmetaj, ai ka thënë se AKSHI është kopshti i familjes Rama. Ai është një individ që nëse do ishte bashkëpunëtor drejtësie do thoshte të njëjtat gjëra. Dhe këto që ka thënë një vit më parë, sot po rezultojnë të vërteta nga hetimi. Ato që ai ka thënë, sot po rezultojnë të vërteta.
Fakti që sot po dalin që miliona euro janë bërë me tendera fiktiv me firmën e drejtueses së AKSHI-t tregon se ai institucion është oaz i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse do kishte një rast ideal politika dhe krimi, kjo është fraza politika dhe krimi operojnë në të njëjtin territor, ndajnë paratë bashkë dhe çdo lloj benefiti që përfitojnë i ndajnë bashkë. Nuk ka më luftë, por bashkëpunim.
Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë në arrati prej disa javësh, është përfolur se do kishte masa sigurie ndaj tyre dhe ata janë larguar për t’iu shmangur drejtësisë. Se nuk është rastësi që sa herë kryhen operacione të tilla, personat kryesorë, me akuzat më të rënda, kur ekzekutohen masat e sigurimit nuk gjenden në banesën ku jetojnë, kjo duhet hetuar nga prokuroria se si ka mundësi që ka dalë informacioni dhe kush e ka dhënë. Se ne avokatëve na kërkohet të firmosim, për të ruajtur sekretin hetimor, madje përballemi dhe me përgjegjësi penale, duhet patjetër që kjo gjë të hetohet.
Për Erion Ismailin, nuk është rasti i parë që në operacionet e SPAK del një drejtues i lartë i policisë. Kjo vërteton që kupola e Policisë së Shtetit, sot është organizatë kriminale. Në ka maskarenj sot, janë drejtuesit e Policisë së Shtetit. Këta po i prishin imazhin policisë së Shtetit. Këta maskarenj e kanë shndërruar Policinë e Shtetit në organizatë kriminale. Qytetarët nuk denoncojnë më krime se kanë frikë nga drejtuesit e policisë të cilët i nxjerrin. Pse nuk flet Rama për numrin 2 të Policisë së Tiranës?
Rastësisht në të gjitha dosjet dalin policë?! Polici është vendosur që të ruajë shtetin, por ai bëhet palë me ata që vjedhin shtetin. Drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit shikohen nga njerëzit sot si të paprekshëm, kanë frikë. Qytetarët nuk duhet të ketë frikë nga polici, por nga banditi. SPAK duhet të ndjekë paratë publike ku janë, të gjenden paratë ku janë dhe të sekuestrohen pronat e paligjshme.
Qëllimi është të gjenden fajtorët dhe paratë e vjedhura t’iu kthehen shqiptarëve. Ndaj SPAK duhet të gjejë ku janë paratë publike me të cilat është abuzuar. Hetimi do të çojë te paratë dhe te rrjeti ku mund t’i kenë transferuar. Se ne na del që investitor strategjik po dalin punonjësit e kompanive me rrogë 700 mijë lekë.



