Drejtori i komunikimit në PD (Rithemelimi), Alfred Lela, analizoi në studion e lajmeve shkaqet që çuan në humbjen e thellë të opozitës në zgjedhjet vendore. Lela tha se maxhoranca ia doli të merrte edhe njëherë pushtetin vendor duke blerë votën dhe duke e dekurajuar pjesëmarrjen e atyre që votojnë opozitën.
Edhe një votë e vetme të jetë manipuluar ia vlen që për të të vihet kuja. Nuk e di se sa vota blejnë kaq km asfalt apo investime të caktuara paraelektorale, por di që kursi ka qenë 300-500 euro.
I mbani mend thirrjet e vazhdueshme të kryeministrit përgjatë fushatës, të mos dilnin në votime. Ka pasur intimidime për të dekurajuar pjesëmarrjen në votime. Kjo ka çuar në këtë pjesëmarrje të pazakontë, më e ulëta në historinë pas viteve 90. I gjithë teatri politik është akorduar në mënyrë të tillë që t’ua bëjë votuesve daljen në votim, në mos të pamundur, të paktën të padëshiruar.
Lela tha se pavarësisht humbjes, koalicioni është solid. Hapi i radhës pas zyrtarizimit të rezultatit do të jetë mbledhja e forumeve të dy partive.
Koalicioni vijon. Bashkimi opozitar nuk mund të mpaket, duhet të rritet. Opozitarët duhet të bashkohen, jo të ndahen. Bashkë fitojmë është kauzë që mbetet. Shqiptarët duhet të votojnë të lirë, pa ndërhyrje të shtetit apo të bandave. Hapi i parë është mbledhja e forumeve. Forumi i PD dhe i PL do të ketë më pas konsultim për hapat e mëtejshëm.



