
Zhvillimi i vrullshëm i medias on line ka rritur në mënyrë të menjëhershme numrin e portaleve apo gazetave elektronike. Janë hapur me qindra të reja, ndërsa ka dhe raste kur formati print është “dorëzuar” dhe është kthyer online. Në Shqipëri operojnë rreth 800 portale. Të gjendur përballë presionit të kohës me synimin e vetëm për të qenë të parët e lajmit, vihet re një mungesë e theksuar e cilësisë së materialeve të shpërndara. Në garën e fortë për klikime, kontrolli dobësohet dhe etika shpesh shkelet.
“Konkurrenca, nevoja për klikime, nevoja për shikueshmëri është shumë e lartë sepse kjo pastaj përkthehet e gjitha në të ardhura dhe në ekonomi”, thotë Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias.
“Në përgjithësi, situata është dramatike, kontrolli është shumë i dobët, respekti ndaj etikës është shumë i ulët dhe dëshira për klikime ka bërë që të abuzohet masivisht dhe pa u menduar fare”, shprehet Enton Abilekaj nga Dosja.al.
Nëse në televizon janë të shumta mënyrat për ta pasuruar një lajm dhe për ta mbajtur lexuesin të mbërthyer pas ekranit , në median online përthithja e audiencës bëhet me anë të ekzagjerimit të titujve. Gazetarët e portaleve zgjedhin tituj sa më bombastike, që shpesh nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen e lajmit.
“Na ndodh shpesh që të lexojmë tituj që nuk kanë lidhje fare me pjesën tjetër, aq edhe më keq pastaj, në disa raste ndodh edhe e kundërta e asaj që propozon titulli”, shprehet Ermal Hasimja.
Ndonëse media ende vazhdon të quhet pushteti i katërt , gazetarët , sidomos ata të medias online duket se kanë harruar misionin e tyre të vërtetë: informimin dhe mbrojtjen e publikut.



