
Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës, si autorë të dyshuar në vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Arjan Xhambazi në Athinë në vitin 2008.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në zbatim të letër porosisë të dërguar nga Athina me qëllim identifikimin e dy autorëve të tjerë të ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2008, në bashkëpunim me Prokurorinë rihapën hetimet për identifikimin e dy bashkautorëve të tjerë të vrasjes së 25-vjeçarit.
Në vitin 2008 gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i vrarë shtetasi Arjan Xhambazi dhe u plagos një tjetër dhe për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Si rezultat i hetimeve Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, bëri të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasve:
Shtetasi që u vra në 2008, quhej Arjan Xhambazi, nga Pogradeci.
Në pranga u vunë Gëzim Latja 41 vjeç, banues në Elbasan dhe Armando Tarushllari (Jetnor Cinellari) 52 vjeç, banues në Tiranë, për të cilët Prokuroria kishte nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Aktualisht vijojnë hetimet e përbashkëta në lidhje me dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ekstradimin e tyre drejt shtetit grek.



