Serbia ka ecur me hapa të shpejtë drejt imunizimit përmes vaksinës. Krahas Pfizer, me të cilën e filloi fushatën, edhe vaksinat e Rusisë dhe Kinës aplikohen në vend, dhe sipas presidentit serb, nga përvoja e e deritanishme ato kanë rezultuar "shumë të sigurta", madje kanë diferencë.
"Disa vaksina që vinin nga Lindja ishin edhe më të sigurta se ato që morëm nga Perëndimi," tha Vuçiç në një intervistë ekskluzive në Euronews. "Por të gjitha ishin të shkëlqyera".
Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe deri më tani ajo nuk ka marrë shumë ndihmë nga blloku në përpjekjet e saj për vaksinimin. Megjithatë, ajo është shumë përpara në krahasim me vendet e tjera në procesin e vaksinimit.
Krahas vaksinës Pfizer-BioNtech, Serbia ka administruar vaksinën Sputnik V të Rusisë, si dhe Sinopharm të Kinës. Këto dy të fundit nuk janë miratuar ende në BE, por përdorimi i tyre e ka bërë Serbinë të parën në Europën kontinentale për shkallën më të lartë të vaksinimit për frymë.
Qeveria serbe është shprehur se vaksinat nuk duhet të jenë një çështje gjeopolitike, por një çështje e kujdesit shëndetësor.
Më shumë se 550 000 njerëz në Serbi kanë marrë deri më tani dozën e parë të një vaksine COVID-19, nga një popullsi prej 7 milionë serbë. 50 000 të tjerë tashmë kanë marrë edhe dozën e tyre të dytë.
Vuçiç thotë se deri në fund të shkurtit, Serbia synon të ketë vaksinuar plotësisht - me dy doza - më shumë se një milion njerëz, ose pothuajse 15 për qind të popullsisë së saj.



