
Shoqata e Transportit Publik paralajmëroi më herët për pezullimin e lëvizjes së urbanëve nga dita e sotme, nëse nuk do të ketë ndërhyrje të menjëhershme për subvencionimin e karburantit.
Kostandin Foni, përfaqësues i Shoqatës së Transportit Publik, deklaroi për edicionin e lajmeve në “MCN TV” se aktualisht janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Bashkia dhe Ministria e Infrastrukturës, lidhur me kërkesat e paraqitura.
Foni u shprej se nesër vendoset nëse do të reduktohet apo ndërpritet transporti
Gjatë ditës së sotme nuk është marrë asnjë masë, ndërsa për nesër është planifikuar një mbledhje me të gjithë operatorët e transportit publik, për të vlerësuar situatën financiare dhe mundësinë e vijimit të aktivitetit, si në transportin qytetës ashtu edhe në atë ndërqytetës.
Sot nuk është marrë asnjë vendim, pasi institucionet janë pushim.
Nesër do të mblidhemi për të diskutuar se si do të vijojmë: nëse do të reduktohet flota apo do të arrijmë deri në ndërprerjen totale të transportit.
Ai shtoi se kërkesat e tyre janë bërë publike dhe presin përgjigje të shpejtë.
Kërkesat tona janë bërë publike që më herët dhe lidhen kryesisht me rritjen e vazhdueshme të çmimit të karburantit, për të cilin nuk dihet se deri në çfarë niveli do të shkojë.
Nëse kërkesat tona plotësohen, kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në përmirësimin e flotës së mjeteve.



