Në një zhvillim të ri politik lidhur me procesin e integrimit evropian, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar miratimin e nismës së IBAR-it.
Në këtë kontekst, politologu Alban Daci në ‘MCN Live’ ka komentuar zhvillimet duke theksuar se, ndonëse integrimi shpesh deklarohet si prioritet politik, në praktikë ai nuk ndiqet me të njëjtin intensitet nga klasa politike shqiptare.
Daci e krahasoi procesin e integrimit të Shqipërisë me një student që ka dhënë provimin me shkrim, por ende pret vlerësimin përfundimtar.
Në këtë fazë Shqipëria është si një student që ka dhënë provimin me shkrim dhe mendoj se i ka bërë pyetjet mirë, por ato duhet të verifikohen për të parë çfarë note ka marrë.
Sipas tij, procesi i integrimit mbetet kompleks dhe i lidhur ngushtë me krizat e brendshme institucionale dhe politike, si dhe me mungesën e vullnetit për reformim të vazhdueshëm.
Integrimi është çështje komplekse, shpesh e lidhur me kriza të identitetit dhe me mungesën e forcës dhe vullnetit për të evoluar dhe përshtatur. Mendoj se kjo do të mbetet një ëndërr e largët për aq kohë sa vendet nuk heqin dorë nga disa çështje që lidhen me politikën e jashtme dhe mbrojtjen.
Daci theksoi gjithashtu se Shqipëria është penalizuar nga vetë zhvillimet e brendshme politike gjatë tranzicionit, duke shtuar se mungesa e forcimit të institucioneve ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit.
Sipas tij, një tjetër problem mbetet mungesa e transparencës në procesin e integrimit, i cili shpesh zhvillohet pa informacion të plotë për publikun dhe me një përfshirje të kufizuar reale të aktorëve politikë.
E vërteta është se politika shqiptare nuk e kërkon integrimin në mënyrë aktive. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit i plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e BE-së, por nuk janë pjesë e saj për shkak të politikës sonë.
Ai shtoi gjithashtu se edhe opozita, sipas tij, shpesh nuk e trajton integrimin si prioritet real politik, pavarësisht retorikës publike.
Në përfundim, Daci vlerësoi se procesi i integrimit mbetet i bllokuar nga faktorë të brendshëm dhe nga mungesa e një strategjie të qartë dhe konsensuale politike, pavarësisht deklaratave të përsëritura se ai është objektivi kryesor i vendit.



