Ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima, thotë se lëvizja që ka nisur brenda partisë nuk ka për qëllim ta përçajë, por ta fuqizojë atë. Gjatë një fjalimi që ka mbajtur në takimin e djeshëm në Sarandë, Kokëdhima është shprehur se gabimet e udhëheqësve i rrezikojnë pushtetin PS dhe vënë në rrezik sigurinë e vendit, si ndodhi pas fitores së Berishës në 2005.
“Si ta mbrojmë Partinë Socialiste nga gabimet e qeverive dhe udhëheqësve të saj, të cilat i kushtojnë rëndë kësaj partie, i rrezikojnë pushtetin dhe vihet në rrezik edhe siguria e vendit, siç ndodhi pas fitores së Berishës në 2005? A mund ta ndalojmë zvogëlimin relativ dhe absolut të Partisë Socialiste? Si mund të reformohet sistemi politik në Shqipëri? Si mund të reformohen partitë politike?”, ka thënë Kokëdhima.
Ish-deputeti socialist ka komentuar edhe deklaratat gjatë fushatës presidenciale në SHBA, të cilat i ka quajtur poshtëruese, diletante dhe kosto e pamerituar për partinë.
“Përse duhet t’i japim kosto të pamerituara Partisë Socialiste dhe vendit me deklarata diletante e poshtëruese të zyrtarëve tanë kundër kandidatit dhe tani presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, zotit Donald Tramp?”, tha ai.



