
Zbardhet plagosja e një të riu në Gjirokastër, duke vënë në pranga dy të dyshuar dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, ku pas një konflikti të çastit mbeti i dëmtuar shtetasi L. D., 33 vjeç, banues në Gjirokastër, kanë vijuar punën hetimore, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.
Bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve K. P., 41 vjeç dhe G. R., 32 vjeç, banues në Gjirokastër. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi P. K., 30 vjeç.
Gjatë së dielës në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, pas një konflikti të çastit, shtetasit K. P. dhe P. K. kanë goditur me mjet prerës dhe sende të forta shtetasin L. D., i cili është transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë.
30-vjeçari P. K., është ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, nga shtetasi G. R., i cili e ka transportuar me automjetin e tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.
Aktualisht vijon puna intensive për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit P. K., ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.



