Pensionistë dhe aktivistë të Lëvizjes Bashkë po zhvillojnë sot një tjetër protestë para Kryeministrisë, ku po kërkojnë rritje të pensioneve, pasi e konsiderojnë qesharak indeksimin e bërë nga qeveria. Ish-minatori dhe pensionisti Qani Shino në fjalën e mbajtur tha:
“Rama mashtronte siç na ka mashtruar politika 34-vjeçare. Ne jemi pensionistë, jemi shtresat më në nevojë e kësaj shoqërie, që i kemi dhënë gjithë ajkën e rinisë sonë, të jetës sonë. Këta uzurpatorë u vunë kazmës fabrikave, uzinave, deri te hekurudhat! I them Edi Ramës, indeksimi është detyrë qeveritare. Për ne ishte një lëmoshë. Indeksimi ynë që i barabartë me 24 lekë në ditë, që s’hipën dot në autobus me to. Pensionsitët të ngrihen të vijnë këtu të protestojnë, sepse në asnjë vend të botës s’ka qeveri më të fortë se populli”.
Ndërkaq, një tjetër pensionist Vladimiri tha:
“Ky nuk dëgjon, kjo është e keqja e këtij njeriu. Nuk do ta ndalim protestën, ky njeri s’merr vesh me llafe, ky është diktator anti-popullor, ky e urren popullin shqiptar”.
Ndërsa kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori u shpreh:
“Rroga e deputetit në Shqipëri në raport me pensionin minimal është 41 herë më e lartë. 10 herë më e lartë në Itali, 41 herë më e lartë, në vendin që ka pensionet më të ulëta në Europë. Shqipëria ka një pension mesatar 180 euro në muaj. E dini sa e kanë vendet e Ballkanit?! Kosova 220 euro, Bosnja 340 euro, Maqedonia 405 euro, Serbia 440 euro, Mali i Zi 450 euro”.



