
Liderët e BE-së i shuan shpresat për anëtarësim të shpejtë Ukrainës. Prej nisjes së invazionit ushtarak rus, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe zyrtarët e tij të lartë kanë përsëritur thirrjet për një hyrje të përshpejtuar, një opsion i paprecedent që do të sfidonte negociatat tradicionalisht komplekse dhe që zgjasin me vite.
Në një samit joformal të mbajtur në Versajë, 27 liderët thjesht "pranuan aspiratat evropiane dhe zgjedhjen evropiane të Ukrainës" dhe morën parasysh aplikacionin që Zelenskyy nënshkroi më 28 shkurt.
Shtetet anëtare kanë ngarkuar tashmë Komisionin Evropian për hartimin e një “opinioni” në lidhje me këtë kërkesë. Dokumenti pritet të bëhet publik në javët në vijim, megjithëse nuk është dhënë një afat specifik.
"Në pritje të këtij [opinioni] dhe pa vonesë, ne do të forcojmë më tej lidhjet tona dhe do të thellojmë partneritetin tonë për të mbështetur Ukrainën në ndjekjen e rrugës së saj evropiane. Ukraina i përket familjes sonë evropiane," shkruan udhëheqësit në deklaratën e tyre të përbashkët.
Pasi Komisioni Evropian të publikojë opinionin e tij, liderët supozohet të votojnë nëse do t'i jepet statusi "kandidat" Ukrainës. Kjo kërkon unanimitet, çka duket e pagjasë duke pasur parasysh skepticizmin e disa vendeve lidhur me zgjerimin.
Dushi i ftohtë mbi ambiciet e Kievit pasqyron një ndarje Perëndim-Lindje brenda bllokut.
Në fillim të këtij muaji, një grup shtetesh anëtare lindore (Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia) shkruan një letër duke kërkuar që Ukrainës t'i jepej "menjëherë" statusi i kandidatit.
Por Evropa Perëndimore ka qenë skeptike dhe mesa duket do të vazhdojë të jetë.



