Përballë kërkesës së grupit parlamentar demokrat që seancës së sotme t’i ndryshohet rendi i ditës dhe të paraqitet Kryeministri Edi Rama të japë llogari, lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ka reaguar ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin. Elisa Spiroplai iu përgjigj Gazment Bardhit duke thënë se nëse ka një gjë që nuk kompleksohen dot, është raporti i kësaj shumice me drejtësinë. “Ju jeni mësuar me Kryeministra që për drejtësinë ka folur nuk kanë vepruar. Kryeministri nuk e përdor politikisht dhe si armë drejtësinë, as si hanxhar. Nuk bën populizëm me drejtësinë, por lë institucionet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre, duke besuar deri në fund se ato institucione dhe ata njerëz që i drejtojnë do përdorin profesionalizimin e tyre për të bërë drejtësi. Të gjitha garancitë ligjore edhe si Kuvend dhe shumicë i kemi dhënë. Ne kemi bërë një ndarje nga drejtësia, që për politikën vetë flet. Në raport me Kryeministrin Rama nuk ka asnjë gojë dhe argument që mund ta bëjë atë pis në raport me drejtësinë dhe institucionet e drejtësisë që i sulmoni sa herë iu intereson ju publikisht, këtë e bëni për ti kompleksuar. Uroj shumë që ata të mos kompleksohen por të bëjnë punën e tyre me ndërgjegje dhe profesionalizëm deri në fund. Për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi dhe hajdutët të shkojnë para drejtësisë, me që hajduti bërtiti kapeni hajdutin andej nga fundi”.



