Në Shangai ka një emergjencë gjithnjë e më të madhe për shkak të infektimeve me Covid. Në spitalet e mbipopulluara në një nga qytetet më të pasura të Kinës, pacientët e moshuar po mbingarkojnë shërbimet e urgjencës dhe situata shëndetësore paraqitet tejet kritike. Që nga muaji i kaluar, rreth 70% e popullsisë, ose rreth 18 milionë njerëz, janë infektuar me Covid, sipas mediave vendase.
Në dy spitalet kryesore, qindra pacientë janë të lidhur me bomobola oksigjeni dhe po i nënshtrohen monitorimit të zemrës. Disa pacientë, thonë dëshmitarët, duken të pajetë.
Pacientë të tjerë trajtohen jashtë godinës, në trotuar. Sistemi shëndetësor i mbingarkuar nga njerëz të sëmurë dhe urgjenca, ndërkohë që autoritetet tashmë pranojnë se shtrirja e shpërthimit është “e pamundur” për t’u përcaktuar, pasi testet nuk janë më të detyrueshme dhe të dhënat janë të paqarta.
Teksa autoritetet rishikuan kriteret lidhur me kategorizimin e vdekjes së shkaktuar nga Covid, vetëm 15 vdekje të lidhura me koronavirusin janë raportuar në vendin prej 1.4 miliardë banorësh që nga fillimi i dhjetorit. Një shifër që duket jashtë realitetit.
Për dimensionet e frikshme të infeksionit në Shangai flet Chen Erzhen, nëndrejtor i spitalit Ruijin dhe anëtar i këshillit bashkiak të ekspertëve të Covid-it, në një intervistë me bordin e “Dajiangdong Studio” të “People’s Daily” të partisë komuniste.
Tani përhapja e pandemisë në Shangai është shumë e gjerë, mund të ketë shkuar në 70%. Po flasim për 20 ose 30 herë më shumë infeksione se në prill dhe maj.
Rritja e infeksioneve erdhi pas lehtësimit të kufizimeve drakoniane kundër virusit, të cilat mbetën në fuqi në të gjithë vendin deri në muajin e kaluar.
Chen shtoi se spitali i tij ka 1600 pranime urgjente çdo ditë, dyfishi i numrit përpara lehtësimit të kufizimeve, 80% e të cilave lidhen me Covid.



