
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Perëndimin se po ndjek një politikë aventureske dhe neokoloniale, duke gjeneruar kështu vatra të shumta tensioni në mbarë botën, përfshirë Ukrainën.
“Edhe pse sfidat e sigurisë në secilën prej tyre kanë specifikat e veta, unë përsëris se të gjitha ato janë krijuar në realitet nga aventurizmi gjeopolitik i Perëndimit dhe nga veprimet egoiste dhe neokoloniale”, tha Putin në një fjalim video të transmetuar në Konferencën e 11-të të Moskës për sigurinë ndërkombëtare, shkruan agjencia ruse Interfax.
Pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kryen agresion kundër Libisë, Republika e Afrikës Qendrore dhe Mali janë ekspozuar ndaj sulmeve të drejtpërdrejta nga grupe të shumta terroriste, tha Putin.
"Ukraina është një shembull i mirë se ku po çon kjo politikë e hedhjes së benzinës në zjarr. Duke pompuar miliarda dollarë në regjimin neo-nazist, duke i furnizuar ata me pajisje, armë dhe municione dhe duke dërguar këshilltarët e tyre ushtarakë dhe mercenarët, ata po bëjnë gjithçka munden për ta nxitur më shumë këtë konflikt dhe për të përfshirë edhe shtete të tjera”, shtoi ai.



