Më shumë se dy milionë njerëz kanë marrë pjesë në një koncert falas të Lady Gaga-s në plazhin Copacabana në Rio de Janeiro, thonë zyrtarët e qytetit, duke e cilësuar si koncert rekord për nga pjesëmarrja.
Koncerti më i madh i yllit të popit u financua nga qyteti në përpjekje për të rigjallëruar ekonominë e Rios.
Ata presin që kjo t’i sjellë ekonomisë lokale 100 milionë dollarë.
Performanca e së shtunës ishte pjesë e një turneu promovues për albumin e tetë të Lady Gaga-s, Mayhem, këngët e të cilit përfshijnë Abracadabra dhe Die With a Smile. Ajo performoi për herë të fundit në Brazil në vitin 2012.
Një operacion masiv sigurie u zhvillua në Copacabana, ku 5000 oficerë policie u angazhuan teksa të pranishmit duhet të kalonin nëpër detektorë metalesh.
Autoritetet përdorën gjithashtu dronë dhe kamera për njohjen e fytyrës për të ndihmuar në ruajtjen e rendit në event.
Lady Gaga nuk është personi i parë që jep një koncert falas në Rio. Madonna dha një koncert në plazhin Copacabana në maj 2024, i cili u pagua po nga qyteti.
Ylli i popit u shfaq me veshje me temë braziliane për disa nga performancat e saj, të frymëzuara nga ekipi kombëtar i futbollit.
Mijëra të pranishëm kënduan së bashku me hitet e saj më të njohura, përfshirë Alejandro, Poker Face dhe Abracadabra, duke krijuar një atmosferë elektrizuese.



