
Zoran Zekiç është trajneri i ri i Partizanit. Tekniku kroat do të pasojë në stolin e të kuqve, Giovanni Colella, i cili u largua pas përfundimit të sezonit. Ishte vetë klubi i kuq, që nëpërmjet faqes zyrtare të klubit, ka prezantuar trajnerin 49-vjeçar. Në karrierën e tij, Zekiç ka drejtuar skuadra të njohura si Slaven Belupo, Sheriff Tiraspol, Osijek, Diośgyőr dhe Maksimir. “Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Zoran Zekiç. 49 vjeçari nga Kroacia, i cili do të drejtoj kampionët e Shqipërisë në sezonin e ri 2023-2024, është prezantuar sot nga presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Arbër Abilaliaj. Në sezonin e fundit Zekiç ishte pjesë e ekipit Slaven Belupo, ndërsa përgjatë karrierës si trajner ai regjistron edhe eksperienca në drejtimin e Sheriff Tiraspol, Osijek, Diośgyőr dhe Maksimir. Zekiç vjen në drejtimin e 17-të herë kampionëve të Shqipërisë për të nisur një projekt ambicioz dhe fitues. Sot skuadra nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik”, thuhet në njoftimin e klubit.



