
Junta ushtarake birmaneze ka humbur kontrollin e një qyteti strategjik në kufirin me Kinën pas luftimeve kundër një aleance të tre grupeve të armatosura etnike, njoftoi një zëdhënës i qeverisë ushtarake.
“Qeveria, organizatat administrative dhe forcat e sigurisë nuk janë më të pranishme në Chinshwehaw, e cila kufizohet me provincën Yunnan të Kinës”, tha Zaw Min Tun në një mesazh të regjistruar mbrëmjen e së mërkurës.
Që nga e premtja, luftimet janë ndezur në një zonë të shtetit verior Shan të Mianmarit, ku një lidhje hekurudhore miliarda dollarëshe është planifikuar si pjesë e projektit të infrastrukturës globale të Pekinit, Belt and Road.
Përleshjet kanë ndodhur në 10 zona në të gjithë shtetin Shan gjatë gjashtë ditëve të fundit, tha ai, pa dhënë detaje mbi viktimat.
Ushtria Çlirimtare Kombëtare Ta’ang (TNLA), Ushtria Arakan (AA) dhe Ushtria e Aleancës Demokratike Kombëtare të Mianmarit (MNDAA) thonë se kanë kapur disa poste ushtarake dhe rrugë kyçe që lidhin Mianmarin me Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar.



