Rusia ka vendosur të pezullojë eksportet e karburantit dizel deri më 31 korrik, në përpjekje për të siguruar furnizimin e tregut të brendshëm pas dëmtimeve të shkaktuara nga sulmet ukrainase me dronë ndaj rafinerive të saj.
Gjatë një mbledhjeje qeveritare të drejtuar nga presidenti Vladimir Putin, zëvendëskryeministri Alexander Novak njoftoi se ndalimi i eksporteve synon të rrisë rezervat e karburantit në vend dhe të shmangë mungesat gjatë sezonit të verës, kur kërkesa është më e lartë.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Rusia planifikon të importojë produkte të naftës gjatë korrikut dhe të rrisë prodhimin duke përdorur karburante me standarde më të ulëta mjedisore.
Vendimi vjen pas një serie sulmesh të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ukrainase goditën objektet e naftës në rajonin e Saratovit dhe në Tatarstan, duke e cilësuar këtë si një përgjigje të justifikuar ndaj sulmeve ruse.
“Rusët duhet ta ndiejnë se shteti i tyre po e zhvillon këtë luftë”, shkroi ai në rrjetin social X.
Ndërkohë, Gazprom njoftoi se po riparon dëmet në stacionin e kompresorëve Krasnodarskaya, pjesë e tubacionit Blue Stream drejt Turqisë, i cili u godit nga një sulm me dron.
Po ashtu, një ditë më parë, Ukraina shënjestroi rafinerinë më të madhe të naftës në Omsk, rreth 2500 kilometra larg vijës së frontit.
Pezullimi i eksporteve pritet të ndikojë edhe në tregjet ndërkombëtare. Edhe pse Bashkimi Evropian nuk importon më drejtpërdrejt naftë ruse për shkak të sanksioneve, ulja e eksporteve nga një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë mund të rrisë çmimet globale të karburantit dhe të shtojë kostot për sektorë si transporti, bujqësia dhe industria në Evropë.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar pasi tregjet e naftës kanë qenë nën presion prej muajsh për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve të furnizimit në Ngushticën e Hormuzit.
Masat e shpallura nga Moska do të mbeten në fuqi deri më 31 korrik.



