
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka emëruar Stuart Peach si të dërguarin e ri të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe prosperitet në rajon.
Stuart Peach do të marrë detyrën e re pas dorëheqjes si Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, një rol që ai e mbajti që nga viti 2018. Më parë ai shërbeu gjithashtu si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Si i dërguar i posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe aleatët e Britanisë në SHBA dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal.
Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke ndihmuar në trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar dhe sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur. Lidhur me këtë të fundit, Britania do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale. Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Sir Stuart do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë.
Stuart ka paralajmëruar se Bosnja dhe Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial që prej luftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.
Mbretëria e gjithashtu do të ndihmojë në adresimin e sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe luftimin e grupeve të krimit të organizuar.
Situata politike në Ballkanin Perëndimor u diskutua në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga dhe do të jetë në rendin e ditës në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Liverpool, i cili u njoftua në fillim të kësaj jave.



