Evropa Qendrore po përjeton përmbytjet e saj më të mëdha në dekada, të cilat pritet të kushtojnë miliarda humbje ekonomike.
Humbjet ekonomike për shkak të përmbytjeve të fundit në Evropën Qendrore janë të konsiderueshme. Vlerësimet e para tregojnë se vetëm kostoja e përmbytjeve aktuale mund të kalojë 1 miliard euro, por kostot e sakta ende nuk janë përllogaritur, pasi shiu i rrëmbyeshëm nga stuhia “Boris” vazhdon të godasë rajonin, duke lënë pas një numër në rritje të vdekjeve dhe dëme të konsiderueshme.
Një vlerësim sugjeron se fatura mund të variojë nga disa qindra milionë euro në më shumë se një miliard euro, raportoi Reuters, duke cituar vlerësimet e hershme nga agjencia e vlerësimit të kredisë Morningstar DBRS.
Mario De Cicco, nënkryetar i vlerësimeve globale të sigurimeve dhe pensioneve në Morningstar DBRS, i tha “Euronews Business” se “bazuar në informacionet më të fundit në dispozicion, humbjet më të larta mund të jenë në Republikën Çeke, një nga vendet më të prekura”.



