
Formimi i ushtrisë së Kosovës është pritur me festime të qytetarëve në sheshe, ndërkohë udhëheqësit e politikës shqiptare në Tiranë ishin të parët që uruan.
"Urime". Kjo ka qenë fjala e e kryeministrit Edi Rama pas vendimit historik të transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës
Kreu i qeverisë ka zgjedhur që të urojë përmes një fotoje, ku shfaqet presidenti Hashim Thaçi me uniformë ushtarake, një ditë më parë teksa vizitonte kazermën “Adem Jashari”, duke i shtuar fjalën urime tri herë, e shoqëruar me flamujt e Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Menjëherë pas vendimit historik të krijimit të ushtrisë së Kosovës, reagoi edhe, presidenti Ilir Meta.
Me mesazhe të përcjella në rrjetet sociale, presidenti Ilir Meta, e quajti votimin e fundit një dëshmi të qartë se Kosova është e vendosur të kontribuojë për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë.
“Vendimi historik i krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dëshmon qartë që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për të kontribuar vendosmërisht për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë. Fryma euro-atlantike qëndron në themel të këtij ndryshimi historik", shkruan Presidenti i Republikës.

Edhe lideri demokrat Lulzim Basha e përshëndeti këtë vendim të Kuvendit të Kosovës, duek theksuar se tashmë Kosova duhet të jetë më e sigurt, rajoni më në paqe, kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë.
“Urime Kosovë për Ushtrinë! Pas Pavarësisë, ngjarja e dytë e përmasave kombëtare dhe historike. Me Ushtrinë e saj Kosova do të jetë më e sigurt, rajoni më në paqe, kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë.
Nderim të rënëve për liri, mirënjohje miqve të mëdhenj që na mbështetën!”, shkruan Basha në rrjetin social "Facebook".




