Arrin në 41 numri i të vdekurve në Filipine për shkak të tajfunit, i cili goditi vendin Ditën e Krishtlindjes në ishujt Visayas në qendër të arkipelagut të Filipineve, një zonë turistike mjaft popullore për shkak të plazheve me rërë të bardhë. Njoftimin e kanë bërë mediat lokale.
Dymbëdhjetë persona të zhdukur janë ende në kërkim.
"Shpresojmë se nuk do të gjejmë më të vdekur", tha Mark Timbal, një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Administrimit të Katastrofave. Sipas kësaj agjencie, cikloni dëmtoi 260 000 shtëpi dhe detyroi afro 100 000 njerëz të linin shtëpitë e tyre dhe të vendoseshin në strehëzat e urgjencës.
Qeveria e Filipines thotë se kjo stuhi e fuqishme tropikale ka shkaktuar 21 milionë dollarë dëme në bujqësi dhe infrastrukturë. Në disa zona të goditura nga tajfuni, i cili u shoqërua dhe me erëra që arrinin 200 km në orë, linjat e energjisë dhe interneti kanë dalë jashtë funksionit.



