
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një fjalimi të tij mbrëmjen e së shtunës deklaroi se agresioni rus nuk ishte kurrë i kufizuar vetëm në Ukrainë dhe e gjithë Evropa ishte një objektiv.
Teksa i kërkoi Perëndimit të vendosë një embargo të plotë ndaj produkteve ruse të energjisë dhe të furnizojë Ukrainën me armë shtesë, Zelensky tha se përdorimi i forcës nga Rusia ishte "një katastrofë që në mënyrë të pashmangshme do t'i godasë të gjithë".
Ai tha se Ukraina është gati për një betejë të ashpër, pasi forcat ruse po grumbulloheshin në lindje të vendit.
"Kjo do të jetë një betejë e vështirë, ne besojmë në këtë luftë dhe fitoren tonë. Ne jemi të gatshëm të luftojmë njëkohësisht dhe të kërkojmë mënyra diplomatike për t'i dhënë fund kësaj lufte", shtoi ai.
Në fjalimin e tij Zelensky falënderoi edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe kryeministrin britanik Boris Johnson për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
“Boris ishte ndër ata që nuk dyshuan për asnjë minutë nëse do të mbështesnin Ukrainën. Udhëheqja e Britanisë së Madhe, në ofrimin e ndihmës për vendin tonë në mbrojtje dhe gjithashtu udhëheqjen në politikën e sanksioneve, do të mbetet gjithmonë në histori. Ukraina do të jetë gjithmonë mirënjohëse për këtë ndaj Borisit dhe Britanisë”, tha Zelensky.
Johnson u takua me Zelensky në një vizitë të papritur të shtunën në Kiev për të përshkruar planin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar mbështetje të mëtejshme financiare dhe ushtarake.
Ndërkohë kujtojmë se negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak tha se presidenti Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk do të takohen derisa Rusia të mposhtet në lindje.



