Administrata Trump po merr formë ndërkohë që Presidenti ka bërë emërimet kyçe, ndërsa po përgatitet për kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Të mërkurën Trump njoftoi se ka emëruar senatorin republikan Marco Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit. Rubio konsiderohet si “skifter” i politikës së jashtme amerikane, dhe ka pozicione të vijës së ashpër ndaj Iranit dhe Kinës.
Ndërkaq ligjvënësi i Floridës, Matt Gaetz është zgjedhur për të shërbyer si prokuror i përgjithshëm. Zgjedhja e tij shihet si një mesazh i qartë se Trump synon të shkundë institucionet me rikthimin e tij në pushtet. Ai konsiderohet një mbështetës besnik dhe figurë polarizuese në Uashington.
Ish-anëtarja demokrate e Kongresit Tulsi Gabbard është zgjedhur për të shërbyer në postin e drejtores së Zbulimit Kombëtar. Vlen për t’u theksuar që në 2016-ën ajo bëri fushatë për Bernie Sanders, por që atëherë është konvertuar në republikane.
Ndihmësi i lartë i Trump, Dan Scavino, emërohet si zëvendësshefi i tij i shtabit, dhe drejtori politik i Komitetit Kombëtar Republikan, James Blair, si zëvendës shef i stafit për çështjet legjislative, politike dhe publike .
Ndërkohë, republikanët parashikohet të fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të javës së kalua, që do të thotë se partia e Trump do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë dhe të gjithë Kongresin.



