
Rusia është e gatshme t’u garantojë vaksinën kundër koronavirusit Filipineve, ose të bashkohet me një firmë lokale për ta prodhuar atë në masë, tha të premten ambasadori rus në Manila.
Rusia pret miratimin për vaksinën e parë të mundshme COVID-19 këtë muaj. Dozat e para do t’u jepen punonjësve shëndetësorë.
Por gara frenetike botërore për të zhvilluar një vaksinë COVID-19 po ngre shqetësimin se shpejtësia mund të rrezikojë sigurinë dhe se disa vende mund të vendosnin prestigjin kombëtar përpara shkencës.
"Ne jemi të gatshëm të furnizojmë Filipinet me vaksina", tha Igor Khovaev, ambasadori i Rusisë në Filipine.
Një opsion tjetër është ai i investimit me një partner filipinas për prodhimin e vaksinave. Khovaev shtoi se Rusia është në pritje të një përgjigjeje për propozimin e saj.
Khovaev tha se vaksina ishte "efektive dhe e sigurt", duke shtuar se rreth 20 vende kishin shprehur interes për të punuar me Rusinë për zhvillimin e vaksinave në vendet e tyre.
Oferta e Rusisë vjen në kulmin e shqetësimit që kanë ngritur vendet në zhvillim për aksesin në vaksinën antiCOVID-19, për të cilën kërkesa është e lartë edhe në nivel global.
Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka kërkuar lidhje më të ngushta me Rusinë, si dhe me Kinën, ndërsa e ka treguar hapur mungesën e simpatisë për Shtetet e Bashkuara.
Duterte muajin e kaluar tha se ai i kishte bërë një lutje homologut të tij kinez për t'i parë Filipinet me përparësi nëse zhvillon me sukses një vaksinë COVID-19. Filipinet deri më tani kanë regjistruar më shumë se 122 000 raste.
I pyetur të enjten në lidhje me vaksinën ruse, drejtori i urgjencave i Organizatës Botërore të Shëndetit, Michael Ryan, tha se të dhënat e deritanishme tregojnë se vaksinat do të jenë të sigurta dhe efektive.



