
Pastori Akil Pano komentoi në MCN TV raportin e përvitshëm të DASH mbi lirinë e shprehjes dhe atë fetare për Shqipërinë. Pano tha se është i keqardhur mbi raportin, duke theksuar se pas 30 viteve demokraci komunitetet nuk i marrin dot pronat, duke shtuar se ka nota neglizhence, burokracie nga institucionet shtetërore.
Duhet vlerësuar sepse në një kulturë ku i gjithë fokusi i agjencive të ndryshme, është bota e ndërtimit, formalizimi i parave jashtë sistemit fiskal, duket sikur gjithçka që na mundon lidhet me çmimet e apartamenteve, lejet e ndërtimit, që në fakt s’do ishte çështje kryesore, që është liria e shprehjes, liria e besimit. Është për t’u falënderuar DASH, që përmes punonjësve të ambasadës bën një raport, i cili publikohet. Duke parë raportin jam i keqardhur. Për shkak të indikatorëve që jepen nga komunitetet fetare punonjësve të ambasadës. Shoh që problematika që trajtohet është çështja e pronave dhe mos përfitimit nga ulja e taksave, që sipas marrëveshjes me shtetin shqiptar, përfshihen përfitime si përjashtimi nga taksat. Shoh një mungesë të marrjes së pronave që kanë qenë prona të këtyre komuniteteve. Pas 30 viteve demokraci, ende të trajtohet! Ka nota neglizhence, burokratike, mungese profesionalizmi nga institucionet përkatëse shtetërore. Unë si klerik dhe pedagog filozofie, jam i shqetësuar sepse pas 30 viteve s’duhet të ishin më çështje, marrja e pronave dhe lejeve të ndërtimit për objektet e kultit. Çështje kryesore është kërcënimi i lirisë së shprehjes nga klerikë, në agorën e debatit publik, kur bëhet fjalë për çështje kardinale. Fetë Abrahamike martesën burrë-grua e kanë të shenjtë. Kur e kam trajtuar këtë çështje në agorën e debatit publik, fjalët e mia janë nxjerrë nga konteksti dhe janë hapur çështje dhe jam etiketuar si diskriminues. Çështja e madhe është sot jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, po përballemi me axhenda globaliste që në thelb synojnë...”.
Pano u ndal edhe te kritikat e analistit Mustafa Nano lidhur me tubimet publike të komuniteteve fetare. Pano vuri në dukje se duhet treguar kujdes që të mos tejkalohet liria, duke prekur një nga sentimentet më të shenjta te një njeri, besimin në fe.
Edhe z. Nano duhet të përgatitet të dëgjojë. Z. Nano mendimet e tij polemizuese i vendos në një mënyrë që shoqëria të hapë një debat. Problemi shtrohet a jemi gati për të trajtuar një debat, sepse duhen të paktën dy vetë që të dëgjojnë njëri-tjetrin. Z. Nano ka marrë përsipër të trajtojë çështje, që i ka trajtuar në vite, që kanë ngjallur debat. Në kulturën e lirisë, çdo individ ka hapësira lirie që të shprehur bindjet e tij, por duhet të tregojmë kujdes të mos tejkalojmë lirinë, të mos prekim një nga sentimentet më të shenjta besimi te feja. Miqtë myslimanë duhet të marrin parasysh që nuk është një klerik që po flet. Edhe kolegët klerikët në komunitetin mysliman, mbase nuk duhet ta trajtojnë me kaq seriozitet çështjen, duke marrë parasysh që nuk vijnë nga një klerik. Në vendin tonë tubimet janë të lejuara me ligj. Në 17 maj kanë dalë LGBT-të në bulevard. Nëse do flasim për lirinë e z.Nano për t’u shprehur, duhet të flasim edhe për lirinë e një komuniteti fetar të shprehë veten”.
Lidhur me shkollat private dhe mësimet fetare, Pano tha:
Shkollat private që janë pjesë e komuniteteve fetare kanë edhe lënë me zgjedhje që nxënësit, studentët, marrin ose nuk marrin pjesë. Një nga problemet që kemi është që taksa e indeksuar për prindërit duhet të hiqet. S’ke pse i paguan taksë shtetit për edukim”.
Ai shtoi se:
Problemi kryesor që kemi në Shqipëri është mungesa e konservatorizmit të djathtë, mungesa e zërit të pronarëve. Politikani s’bën dot pa fenë, ka nevojë për masën. Fatkeqësisht politikanët tanë, qëndrojnë kryesisht duke elaburuar vetëm si qenie politike. Hegeli thotë që duhet të ndërtohet një komunitet moral. Edhe në një debat publik kur flet për çështje moraliteti, ke politikan që ndihen të prekur, dhe gazetarë që thonë ‘pastor mos na bëj moral’!”.
Pastori tha se është censuruar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke u shprehur se kjo i kujton historinë e Shqipërisë në komunizëm ku klerikët pushkatoheshin.
Duket qartë që edhe në botën e medias, janë jashtëzakonisht shumë pak media, të cilat janë të lira për të komunikuar një zë të pacensuruar, të pashitur apo të pablerë, për çështje politike dhe morale. Unë jam censuruar. Jo në media, por fjalës sime i është vënë censurë nga komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi. Këshilli Ndërfetar ka bërë një notë proteste. Në momentin kur një pastor, klerik, censurohet në këtë mënyrë duke u quajtur diskriminues dhe urrejtës, më kujton historinë e Shqipërisë në komunizëm që u vendosën në fuçi druri dhe u hodhën në det dhe u pushkatuan. Natyrisht duhet të mbrojmë një kulturë lirie, por kjo s’nënkupton dakordësinë lidhur me bindjet e secilit”.



