
Për momentin nuk do të shkoj në Kiev. Unë dërgova kardinalin Michael Czerny dhe kardinalin Konrad Krajewski, të cilët shkuan atje për herë të katërt. Por ndjej se nuk duhet të shkoj. Së pari duhet të shkoj në Moskë dhe të takoj Putinin. Por unë jam prift, çfarë të bëj? Unë bëj atë që mundem. Nëse Putini hap derën...
Kështu tha Papa Françesku, duke bërë një vlerësim të përpjekjeve të Vatikanit për të ndalur konfliktin në Ukrainë.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Papa shtoi se ditën e parë të luftës e telefonoi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por jo Vladimir Putin.
E kisha dëgjuar në dhjetor për ditëlindjen time, por kësaj radhe nuk e telefonova. Doja të bëja një gjest të qartë që ta shihte e gjithë bota dhe prandaj shkova te ambasadori rus. I kërkova shpjegime dhe që të ndalonin. Pastaj i kërkova kardinalit Parolin, pas njëzet ditë lufte, që t’i dërgonte Putinit mesazhin se isha i gatshëm të shkoja në Moskë. Natyrisht, ishte e nevojshme që lideri i Kremlinit të hapte disa dritare.
Ne ende nuk kemi marrë një përgjigje dhe vazhdojmë të këmbëngulim, edhe pse kam frikë se Putini nuk mund dhe nuk do ta bëjë këtë takim tani. Por si nuk mund ta ndalosh kaq shumë brutalitet? Njëzet e pesë vjet më parë ne përjetuam të njëjtën gjë me Ruandën.
Papa Françesku nuk di të thotë se çfarë e shkaktoi përshkallëzimin ushtarak, por shprehet “me siguri lehja e NATO-s në derën e Rusisë”, çka e bëri kreun e Kremlinit të nisë konfliktin.



