
Një anketë e zhvilluar në Kosovë ka zbuluar se 75 për qind e qytetarëve e vlerësojnë dialogun si jo transparent. Anketa është zhvilluar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe rezultatet tregojnë se qytetarët e Kosovës e mbështesin procesin, pavarësisht se nuk kanë mendim të mirë për ecurinë e deritanishme.
68 përqind e qytetarëve mendojnë se dialogu duhet të vazhdojë, edhe pse më shumë se 80 përqind e tyre thonë se nuk vërejnë kurrfarë përfitimi nga ky proces. Më shumë se shumica prej tyre po kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, por edhe idenë e Mini-Shengenit për Ballkanin Perëndimor. 30 për qind e të pyeturve nuk janë të informuar se cili është qëllimi final i gjithë këtij procesi mes dy vendeve.
Anketa është zhvilluar gjatë pjesës së fundit të vitit 2020, me më shumë se 1 mijë e 100 të anketuar. Hulumtimi ka përfshirë zonat rurale dhe urbane, ndërkohë që 90 për qind e të anketuarve kanë qenë shqiptarë, 8 për qind serbë, dhe 2 për qind komunitete të tjera pakicë.



