Dhjetë gazetarë që punojnë për agjencitë pro-kurde të lajmeve u arrestuan këtë të martë në gjashtë provinca turke, një javë pas hyrjes në fuqi të një ligji që dënon me burgim për shpërndarjen e lajmeve të rreme.
Kështu bëri me dije Sindikata e Gazetarëve të Turqisë.
“Dhjetë nga kolegët tanë u arrestuan gjatë operacioneve në Ankara, Stamboll, Van, Diyarbakir, Urfa dhe Mardin”, tha sindikata TGS në Twitter, pa specifikuar arsyet e arrestimeve.
Gazetarët e arrestuar, duke përfshirë katër gra, punojnë për agjencitë pro-kurde të lajmeve Mezopotamya dhe Jinnews, sipas sindikatës së gazetarëve. Agjencia Mezopotamya konfirmoi se shtatë nga gazetarët e saj u arrestuan.
Gjashtëmbëdhjetë gazetarë turq u burgosën në fund të qershorit.
Turqia miratoi në mes të tetorit një ligj mbi dezinformimin, i cili, tetë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, dënon deri në tre vjet burg këdo që akuzohet për përhapjen e informacionit të rremë ose mashtrues .



