Në qarkun që 8 vjet më parë e çoi në Kuvend si deputet të demokratëve, Lulzim Basha, kërkoi besimin për Kryeministër.
Në mitingun përmbyllës, Basha kërkoi ball lartë votën, pasi u kujtoi premtimin e përmbushur për tunelin.
"Këtu kam qenë para 8 vitesh, qershor i 2009 kur premtova se do ta mposhtnim masivin e Krrabës, se do t’ia hanim zemrën dhe do ta shponim tunelin. Tuneli u bë por nuk mbaruam dot rrugën. Herën e fundit më dërguan në Parlament si kryedeputetin tuaj, a jeni gati të më dërgoni kësaj rradhe si Kryeministrin tuaj? Të mbështesni me çdo votë ekipin tonë fitues. Ky entuziazëm duhet të derdhet të dielën në çdo qendër votimi. Me planin tim ekonomik, Elbasani do të jetë dhe zemra e ekonomisë së fortë. Vagonin e rilindjes do ta çojmë tek furrnalta këtu për skrap. Vagoni i rilindjes do të shkojë për skrap por furrnaltën do t’ia ndezë Elbasani", tha Basha.
Kreu demokrat bëri publik para mbështesve të tij dhe urimin për fitore në 25 qershor të PPE. Kreu i PD ironizoi edhe mitingun përmbyllës të PS në Tiranë, duke iu referuar si funerali i premtimeve të pambajtura.
I bindur se një mëngjes i ri do të zbardhë mbi Elbasan dhe gjithë Shqipërinë të hënën e 26 qershorit, Basha përsëriti apelin: “Asnjë të mos mbetet pa votuar. Bashkojuni të gjithë. Do të jetë fitorja më madhështore, sa më e thellë fitorja aq më i shpejtë ndryshimi për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë”.



