
Gjykata e Apelit në Francë ka vendosur që një urdhër-arresti ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad i lëshuar për bashkëpunimin në krime ndaj njerëzimit dhe krime lufte është i vlefshëm.
Vitin e kaluar, hetuesit kërkuan arrestimin e Assad dhe tre të tjerëve për një sulm vdekjeprurës me armë kimike në Siri në vitin 2013.
Prokurorët e Antiterrorizmit kundërshtuan vlefshmërinë e mandatit francez, duke thënë se Assad kishte imunitet si një kryetar i një shteti të huaj në detyrë.
Avokatët e paditësve në ankesën fillestare e përshëndetën si “historik” vendimin e Gjykatës së Apelit të Parisit e cila refuzoi këtë argument.
Siria është shkatërruar nga një luftë civile e cila shpërtheu pasi qeveria e Assadit iu përgjigj me forcë vdekjeprurëse protestave paqësore pro-demokracisë në vitin 2011.

Konflikti ka lënë gjysmë milioni njerëz të vdekur dhe ka bërë që gjysma e popullsisë të ikin nga shtëpitë e tyre, gati gjashtë milionë refugjatë jashtë vendit.
Në gusht të vitit 2013, pati një sulm me armë kimike në rajonin Ghouta të mbajtur në atë kohë nga opozita në periferi të Damaskut.
Ekspertët e OKB-së konfirmuan se ishin përdorur raketa që përmbanin agjentin nervor sarin.
Sarin, si agjentët e tjerë nervorë, ndërhyn me një enzimë që ndalon kontraktimin e muskujve. Kur enzima ndalet ose nuk funksionon siç duhet, muskujt stimulohen vazhdimisht.
Nëse muskujt kontraktohen vazhdimisht, njerëzit mund të mos jenë në gjendje të marrin frymë.



