
Pavarësisht se ia doli të merrte një mandat të tretë qeverisës, Partia Socialiste e sheh të nevojshme një analizë të brendshme. Kreu i PS-së së Tiranës, Ervin Bushati, tha gjatë një lidhjeje me studion e lajmeve në MCN TV se ky proces do të nisë në shtator.
Partia Socialiste si partia më e madhe në vend nuk ka kohë për pushim. Maxhoranca duhet të ecë me ritmin që e kanë mandatuar zgjedhësit. Në shtator ne do të nisim takimet për të parë rezultatet dhe mënyrën më të mirë sesi mund të përmirësohet PS. Është një punë e madhe sepse edhe nga pesha dhe vlera, PS i duhet që të japë atë që qytetarët presin. Ka qenë një punë e nisur që në 2019. Një parti si PS në momentin që mbarojnë një palë zgjedhje nis punën për tjerat. Kemi bërë riformatim të strukturës së PS. Për herë të parë kemi një mandat të tretë të dhënë nga qytetarët. Kjo na ka kërkuar një punë shumë të madhe. Janë organizuar strukturat, ka qenë një punë shumë e madhe.
Duke krahasuar rezultatin me zgjedhjet e 2017-s, Bushati tha se PS ka një rritje prej 19 mijë votash, megjithatë nuk arriti dot objektivin 78 mandate që i kishte vënë vetes para 25 prillit.
PS mori 19 mijë vota më shumë se në 2017. Këto kanë qenë disa nga punët e mëdha që janë bërë. Kemi thënë që sistemi i ri elektoral ka pasur sfidat e veta. Në Tiranë ka mbi 18 mijë fletë të pavlefshme. Ne do të kishim 78 mandate. Mund të bëhej më mirë, por kjo është një arritje e madhe. Nëse të gjitha strukturat dhe kandidatët do të kishin punuar të përkushtuar, do të kishim arritur objektivin 78 mandate.



