
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg rrëzon vendimin e SPAK për sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të medias online Lapsi.al.
Sipas vendimit të publikuar në media, ai do të qëndrojë në fuqi deri në momentin kur çështja të gjykohet në themel nga Gjykata e Strasburgut.
Ngjarja lidhet me publikimin e medias online të skandalit të përdorimit të të dhënave të qytetarëve nga PS për zgjedhjet e 25 prillit. Databaza përmban numrat personalë të kartave ID, datëlindjen, vendlindjen, numrat e telefonit, preferencat për bindjen politike, patronazhistët e caktuar për secilin prej tyre, shoqëruar nga komentet e këtyre të fundit.
Vendimi:
Më 21 prill 2021, Gjykata (gjyqtari në detyrë), vendosi, në interes të palëve dhe të kryerjes së përshtatshme të procesit para saj, t’i tregojë Qeverisë së Shqipërisë nën Rregullin 39 se autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit nr. 131, dt. 18 Prill të Gjykatës së Shkallës së Parë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit për sekuestrimin e pajimeve të magazinimit të të dhënave dhe kompjuterëve/të dhënave elektronike që i përkasin aplikantit,” shkruhet në letër.
Avokati Matlija i tha BIRN se vendime të tilla merren nga Gjykata e Strasburgut vetëm në rrethana ekstreme kur rrezikohet jeta apo të drejtat shumë thelbësore në mënyrë të rëndë dhe të pariparueshme.
“Në dijeninë tonë, ky është vetëm rasti i dytë që Gjykata jep një vendim të tillë për çështje të lirisë së shprehjes. E para më 2018 kundër Ukrainës dhe e dyta kjo sot”,- tha Matlija.
Mësohet se në masën e sigurisë shkruhet se qeveria shqiptare “nuk duhet të sekuestrojnë asnjë pajisje që ruan të dhëna dhe të dhënat kompjuterike/elektonike të cilat u përkasin aplikantëve.



