Në një intervistë për një media maqedonase, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis foli për marrëdhëniet me vendet fqinje në rajon, ku u ndal edhe te takimi i Ramës me emigrantët shqiptarë në Athinë. Kryeministri grek e konsideroi fjalimin e Ramës në funksion të zgjedhjeve, duke u shprehur se Athina nuk ka përse të frikësohet nga një ngjarje e tillë. Megjithatë ai vuri në dukje se rruga e integrimit europian të Tiranës kalon nga Athina, pasi varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek.
"Vizita e Edi Ramës këtu ishte private, sikurse edhe fjalimet përkatëse ishin parazgjedhore, që ai ka planifikuar tashmë në vende të tjera, në funksion të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria nuk kishte arsye ta ndalonte. Republika nuk ka pse të frikësohet nga një ngjarje e tillë.
Çështjet në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe euro-shqiptare sigurisht që mbeten.Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të anashkalojë kushtet për anëtarësimin e vendit të tij në BE. Së pari, respektimi i shtetit ligjor, i cili është i parashikuar në nenin 2 të Traktatit të BE.
Do të jem i qartë: Me paraburgimin e paligjshëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, tashmë kandidat i Demokracisë së Re për Parlamentin Europian, Fredi Beleri, Shqipëria shkel vlerën e shtetit ligjor dhe parimin e prezumimit të pafajësisë. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por kryesisht një çështje evropiane. Dhe duke qenë se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, ajo kalon në mënyrë të pashmangshme nga vendi ynë. Jo për të “pajtuar” apo “ndëshkuar”, por për të parë Shqipërinë duke u bashkuar pa probleme në rrugën e vlerave europiane.”.



