
Izraeli ka kryer krime lufte në Rripin e Gazës duke zbatuar një “dënim kolektiv” të popullatës palestineze pas masakrës së kryer nga Hamasi më 7 tetor.
Akuza vjen nga zyra e Kombeve të Bashkuara e cila merret me çështje humanitare.
“Dënimi kolektiv është krim lufte. Ndëshkimi kolektiv i Izraelit për të gjithë popullsinë e Gazës duhet të ndalet menjëherë”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Hamasi, shpjegon agjencia e OKB-së, kreu gjithashtu krime lufte dhe mizori më 7 tetor dhe vazhdon t’i kryejë ato duke mbajtur peng civilë.
Në vijim Shamdasani u kërkoi grupeve palestineze të ndalonin sulmet pa dallim kundër Izraelit.
Lidhur me “rrethimin” e plotë të Gazës të shpallur nga Izraeli, Shamdasani tha se “për 2.2 milionë banorët që jetojnë në Gaza është një katastrofë humanitare dhe dënim kolektiv”.



