
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i ka cilësuar akuza politike komentet e kreyministrit Rama, para pak ditësh tha se në sistemin e drejtësisë është ngritur “grupimi më i rrezikshëm kriminal i quajtur KÇK, (Kap Ç’të Kapësh).
“Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”, deklaroi ai.
Ibrahimi ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Lidhur me SPAK, ai tha se deri tani janë përzgjedhur 15 kandidatë për SPAK, 8 prej të cilëve e kanë kaluar vetingun.
“Sot kemi identifikuar dhe përzgjedhur 15 kandidatë, për të qenë pjesë të Prokurorisë së Posaçme, por këta prokurorë duhet të marrin edhe vulën e Vettingut. Në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Deri më tani, 8 prej tyre e kanë kaluar vetingun. Është kusht, që pa kaluar vetingun, prokurorët nuk mund të bëhen pjesë e SPAK. Gara për t’u bërë pjesë e SPAK është hapur që në janar të vitit 2019, por buxheti ynë është aktivizuar në qershor të këtij viti”, tha Ibrahimi.



