
Si kanë ndikuar rrjetet sociale në jetën tonë? Krahas zgjerimit të hapësirave të komunikimit, ato kanë sjellë me vete edhe diçka tjetër: varësinë.
Studime të ndryshme të kryera 3-4 vitet e fundit i shohin rrjetet sociale si një nga faktorët që na bëjnë të palumtur. Për të minimizuar kohën e qëndrimit online, disa biznese në SHBA kanë nisur të vënë në zbatim strategji të reja.
P.sh. nëse nuk e përdor smartfonin, një rrjet restorantesh në SHBA, “Le Pain Quotidien”, të jep falas ëmbëlsirën.
Në disa hotele luksi, si “Mandarin Oriental” në Nju-Jork, mund të kërkosh shërbimin “no wi-fi” dhe ‘digital detox’. Ky i fundit ofrohet në paketën e shërbimeve relaksuese dhe përfshin dorëzimin e smartfonit në hyrje dhe tërheqjen e tij në përfundim të seancave.
Një opsion tjetër janë aplikacionet që frenojnë fluksin e njoftimeve që vijnë në smartfonët tanë ose kalimi në ata që tashmë quhen “dumb-phone” (celularët e dikurshëm pa lidhje me internetin), të cilët po përdoren gjithnjë e më shumë sidomos nga menaxherët dhe të pasurit londinezë.
Ngjan si një mbingopje dixhitale nga e cila kemi nevojë të shkëputemi duke ndjekur njëfarë “diete”.
Sipas një analize të kryer nga Global Wellness Summit (GWS), në vitin 2018, në total ata që rrinin offline ranë në vetëm 37%, ndërsa në 2017-n ishin 50%.
Dëshira për të shtuar marrëdhëniet sociale përmes rrjeteve ka sjellë me vete edhe pamundësinë për t’i shkëputur sytë nga ekranet. Në këtë mënyrë është rritur numri i njerëzve të palumtur dhe që shpesh ndihen nën presion. Ekonomisti britanik, Thierry Malleret, thotë se kjo i ka bërë njerëzit edhe më pak produktivë.
“Ne nuk jemi bërë ende të gjithë teknofobë, por 2018 ishte viti i pagëzimit të atyre që, për shkak se gjithmonë janë në predispozuar ose varen nga interneti, ndihen keq, më të pakënaqur dhe madje më pak produktive”, thotë ai.
Rreth 59% e amerikanëve ndihen të shpërqendruar për shkak të punës që i ndjek nëpërmjet smartfonit edhe kur janë me pushime. Mesatarja e pëdorimit gjatë gjithë kohës të mediave sociale ka rënë nga 36% në 27% në vitin 2018. Edhe pasqyrimi i pushimeve përmes fotove dhe videove në rrjetet sociale është në rënie. Të rinjtë e mijëvjeçarit të ri, për të cilët përdoret temri millennials (të lindur në vitet 1980-2000), të cilët rrinë gjithnjë online, kanë rënë nga 68% në 38% brenda një viti.
Ekspertët thonë se reagimi ndaj gjigantëve të teknologjisë sapo ka filluar. Kërkimet shkencore që analizojnë efektet negative të rrjeteve sociale në trurin dhe lumturinë tonë janë gjithnjë në rritje. Jemi në një pikë kur varësia nga teknologjia është barazuar me varësinë nga duhani në nivelet që ishte 10 vjet më parë, kur nisën fushata massive për ndërgjegjësimin e njerëzve rreth efekteve negative.
Kompanitë që ofrojnë shërbime relaksi e kanë kuptuar të parat. Paketat e tyre përfshijnë shkëputjen nga rrjetet sociale dhe orientimin drejt natyrës, meditimit dhe sporteve si joga apo tai-chi.
Aplikacioni ‘Off the Grip-digital detox’ është një tjetër “filtër” që ndihmon të mos abuzojmë më kohën e kaluar online. Ky biznes është bërë aq interesant, saqë edhe themeluesja e njohur e “Huffington Post”, Arianna Huffington, e ka nuhatur dhe ka ideur aplikacionin 'ThriveAway', i cili kufizon kohën e kaluar online për emaile, aplikacione apo njoftime të ndryshme.



