
Sezoni turistik në Durrës është vlerësuar përgjithësisht si pozitiv, ndonëse me disa kontraste dhe ndryshime të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas korrespondentes së MCN Live, Ervina Garo, qyteti bregdetar ka vazhduar të jetë një ndër destinacionet më të frekuentuara të pushimeve verore, por mungesa e dukshme e turistëve nga diaspora dhe veçanërisht nga Kosova ka ndikuar në një boshllëk të ndjeshëm në treg.
Ka një rënie prej 4–5% të numrit të turistëve nga Kosova, të cilët tradicionalisht kanë qenë ndër vizitorët më besnikë të Durrësit.
Muaji korrik rezultoi të jetë më i dobët se pritej për tur-operatorët dhe strukturat akomoduese, me një numër më të ulët rezervimesh krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme.
Përkundër kësaj, pjesa e rezervimeve last minute (në minutën e fundit) dhe ofertat promovuese kanë bërë që shumë struktura të kenë sërish dhoma të lira, sidomos në prag të muajit shtator, kur normalisht ishte e vështirë të gjeje akomodim.
Edhe pse ka një rënie të lehtë në numër, interesi për Durrësin nuk është zhdukur. Shumë vizitorë e kanë përzgjedhur qytetin jo vetëm për bregdetin, por edhe për të vizituar monumentet historike dhe trashëgiminë kulturore që ofron Durrësi si një nga qytetet më të vjetra të Mesdheut.



