Më 14 nëntor, eshtrat e Mithat Frashërit u kthyen në Shqipëri, duke përmbushur amanetin e tij për t’u prehur në atdhe 69 vjet pas vdekjes. Një ceremoni shtetërore në nderim të figurës së tij mblodhi personalitete të politikës, studiues dhe intelektualë.
Mithat Frashëri pak njihet në Shqipërinë e vitit 2018, edhe pse është një figurë e shquar e Shqipërisë së shekullit të kaluar, me kontribut si diplomat, shkrimtar dhe politikan.
Eshtrat e tij mbërritën në atdhe pikërisht në javën e përkujtimit të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, që u drejtua prej tij. Mithat Frashëri ia ka kushtuar jetën çështjes shqiptare.
Kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit në vitin 1908, ai do të ishte një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë në vitin 1912 dhe më pas ministër i Punëve Botore në qeverinë e Ismail Qemalit.
Mithat Frashëri ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Ndërsa në vitin 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve.
I përndjekur nga regjimi komunist, i anatemuar si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri në përfundim të luftës u vendos në Itali, më vonë në Londër e më pas në SHBA, ku ndërroi jetë më 3 nëntor 1949.
Përveç krijimtarisë së pasur letrare, publicistike, studimeve politike dhe historike, Mithat Frashëri, i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo, do të mbahet mend për bibliotekën e pasur personale me rreth 40 mijë vëllime, të cilat janë sot pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.



