Arabia Saudite dhe Irani kanë thirrur përfaqësuesit e misioneve diplomatike suedeze në vendet e tyre, për të denoncuar autorizimin e dhënë nga Stokholmi për aktet e përdhosjes së Kuranit. "Një notë proteste që u bën thirrje veçanërisht autoriteteve suedeze të marrin të gjitha masat e menjëhershme dhe të nevojshme për t'i dhënë fund këtyre akteve të turpshme , do t'i dërgohet të ngarkuarit suedez me punë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite në një deklaratë për shtyp. Nga ana tjetër Iraku të enjten urdhëroi dëbimin e ambasadorit suedez dhe tërhoqi përfaqësuesin e tij në Suedi si reagim ndaj përdhosjes së re të Kuranit në Stokholm, një nismë që çoi gjithashtu në një sulm ndaj ambasadës në Bagdad, të djegur nga demonstruesit. Autoritetet irakiane kanë njoftuar gjithashtu se po pezullojnë licencën e gjigantit suedez të telekomunikacionit Ericsson në vend. Një vend tjetër në rajon, Republika Islamike e Iranit, thirri ambasadorin suedez në Teheran të enjten në mbrëmje dhe i bëri thirrje Stokholmit të ndalojë autorizimin e akteve të përdhosjes së Kuranit.



