Shtresa e ozonit po “shërohet” nga dëmtimi i shkaktuar si pasojë e veprimtarisë njerëzore, thuhet në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Dëmtimi i shtresës së ozonit në atmosferë është vërejtur që nga fundi i viteve 1970 dhe u pasua nga një fushatë globale për heqjen nga përdorimi të disa kimikateve, e sanksionuar kjo në Protokollin e Montrealit, në vitin 1987.
Si rezultat, shtresa e ozonit, në disa pjesë të atmosferës, por rikuperohet me një ritëm prej 1-3% për dekadë që nga viti 2000, sipas rivlerësimeve të fundit që ka bërë Paneli Vlerësues Shkencor i Protokollit të Montrealit.
OKB-ja vlerëson se shtresa mbi Hemisferën Veriore do të rikuperohet tërësisht deri në mesin e viteve 2030, ndërsa Hemisfera Jugore në vitet 2050 dhe rajonet polare deri në 2060-n.
"Është me të vërtetë një lajm i mirë", thotë Paul Newman, drejtues i ekipit të shkencëtarëve të Tokës në Qendrën e Fluturimit Hapësinor Goddard të NASA-s, njëkohësisht bashkëautor i raportit.
"Nëse substancat që zvogëlojnë ozonin do të kishin vijuar të rriteshin, ne do të kishim parë efekte të mëdha. Ne e penguam këtë gjë”, thotë ai.
Ozoni mbron jetën në Tokë nga nivelet e dëmshme të rrezeve ultravjollcë. Dëmtimi i shtresës së ozonit ka kontribuar në ngrohjen globale, por gjithashtu ka rritur rrezikun për sëmundje të caktuara, përfshirë kancerin e lëkurës dhe kataraktën.
Në rastin më të keq, në fund të viteve '90, rreth 10% e shtresës së sipërme të ozonit u dëmtua. Këtë vit, vrima e ozonit mbi Polin e Jugut arriti rreth 25 milionë kilometra katrorë - 16% më i vogël se kulmi i vitit 2006.



