Politika shqiptare reagon ndaj sulmit me mijëra raketa të Hamasit mbi Izrael, duke shkaktuar dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi sot, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, ndaj sulmit terrorist ndaj Izraelit.
Dënoj fuqishëm sulmet e Hamasit kundër Izraelit. Në këto momente, ne qëndrojmë krah Izraelit.
Lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Shqipëria është e vendosur kundër terrorizmit te çdo forme.
Kryeministri Edi Rama
Dënoj fuqishëm sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit.
Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin.
Kryetari i PD Sali Berisha
Sulm terrorist ndaj Izraelit!
Grupe terroriste të Hamas ndërmorën nga Gaza një sulm terrorist të befasishëm me artileri dhe infiltrime të terroristëve në territorin e Izraelit.
Breshëri predhash artilerie janë hedhur në Telaviv dhe Jeruzalem. Nga ky sulm terrorist kanë vdekur 22 qytetarë të pafajshëm dhe janë plagosur rreth 250 të tjerë.
Ndërkohë kryeministri Netanjahu ka deklaruar se Izraeli është në luftë dhe ushtria izraelite ka filluar goditje të forta ajrore kundër grupeve terroriste.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm terrorist, që ka si synim të dëmotojë precesin historik të paqes me vendet arabe në të cilin janë angazhuar Izraeli dhe këto vende në kuadrin e marrëveshjeve Abraham, Partia Demolratike shpreh mbështetjen e plotë të saj, Izraelit dhe qeverisë së tij në përballimin e këtij sulmi të pabesë dhe ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Izraelit dhe ju uron shërim të shpejtë të plagosurve të këtij sulmi barbar terrorist.
Kryedemokrati Lulzim Basha
I tronditur thellë nga sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre, duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Ne qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit të Izraelit dhe miqve tanë në këtë orë të vështirë për ta.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta
Dënoj me ashpërsi sulmin barbar terrorist dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael.
Në emër të Partisë së Lirisë shpreh solidaritetin e plotë me shtetin dhe popullin e Izraelit.
Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe autoritetet e Izraelit të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të plagosurve!



