
Qeveria e Kosovës do të kursejë rreth 20 milionë euro nga ulja e pagave dhe shkurtimi i shpenzimeve të luksit. Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputete e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha vendimi për zvogëlimin e pagave të kabinetit qeveritar hyn në fuqi menjëherë, ashtu siç ka hyrë vendimi i qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave, pra me vetëm një vendim qeveritar.
Nagavci thotë se këto mjete do të shkojnë në sektorë të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Do të kursejmë rreth 15 milionë euro të buxhetit, qoftë nga zvogëlimi i kabinetit, nga më shumë se përgjysmimi i të emëruarave politikë dhe nga zvogëlimi i pagave. Nëse këtu shtojmë edhe kursimin që do të bëhet në vazhdimësi nga shpenzimet e luksit, besoj se do të jenë mbi 20 milionë euro që do të kursehen nga buxheti, dhe këto mjete do të shkojnë për sektorët që janë të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo për mediat e Kosovës.



