
Kur kanë kaluar mbi 1 vit nga ekzekutimi i dy të rinjve në qendër të Prishtinës, është zbuluar edhe autori i kësaj vrasje të dyfishtë. 24-vjeçari nga Durrësi, Lulzim Idrizi është vetëdorëzuar në policinë e Kosovës si autori i vrasjes së 22-vjeçarit Eron Agaj dhe 26-vjeçarit Arianit Gashi.
Viktimat u ekzekutuan me armë zjarri dy ditë, pasi ishn kthyer nga pushimet në Shqipëri, ngjarje e ndodhur kjo tek Parku i Qytetit në Prishtinë, në mes të ditës më datën 29 gusht 2016.
Vetëm 20 ditë pasi Prokuroria ka ngritur akuzën ndaj Lulzim Idrizit nga Durrësi, i akuzuar për vrasjen e dy të rinjve, ai ka pranuar se ka kryer krimin në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i cili për këtë vrasje qëndroi 1 vit e gjysmë në arrati. 24-vjeçari nga Shqipëria iu dorëzua autoriteteve kosovare 10 ditë para se t’i ngrihej akuza, më 19 nëntor 2017, raportron Express.
Dy të rinjtë nga Prishtina, po lëviznin me motoçikletën e 26-vjeçarit Gashi, në zonën e parkut të kryeqytetit, në kohën kur u shkrepën breshëri plumbash ndaj tyre. Eroni kishte mbetur i vdekur në vend, ndërsa Arianiti ndërroi jetë në QKUK. Ai u mbijetoi plagëve vetëm sa për të arritur që të tregojë se kush i ka qëlluar.
“Na vrau Luli i Shqipërisë”! Viktima Arianit Gashi ishte duke luftuar me jetë, kur i la një porosi të fundit babit të tij. “Thuj babait se na vrajti Luli i Shqipërisë”, kishin qenë fjalët e fundit të të vrarit, që i ka dëgjuar një dëshmitare, që pa gjithçka çfarë ndodhi atë ditë.
I akuzuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, Policisë së Kosovës i është dashur dy javë që të nxjerrë një kallëzim penal ndaj të dyshuarit që u identifikua përmes kamerave të sigurisë që ndodheshin përreth zonës ku ka ndodhur krimi dhe dëshmive të dëshmitarëve.



