
Ekipet e shpëtimit në qytetin e Magnitogorskut kanë arritur ta gjejnë dhe ta nxjerrin të gjallë një foshnjë 11-muajshe nga mbetjet e ndërtesës së shkatërruar nga shpërthimi i bombolës së gazit. Foshnja është në gjendje kritike dhe është dërguar në spital për trajtim të mëtutjeshëm.
Djali i vogël ishte i vetëdijshëm dhe po kurohet në spital, raporton agjencia e lajmeve Tass duke cituar mjekët e spitalit.
Ata dhanë një parashikim "pozitiv", por thanë se fëmija ishte në një gjendje kritike.
Ai ishte i veshur pjesërisht kur u gjet nga ekipet e shpëtimit, në një qytet ku temperatura e ditës është -17C.
Ministria e emergjencave ruse tha se nëna kishte mbijetuar dhe kishte ardhur në spital për të vizituar djalin e saj.
Tetë trupa janë gjetur deri më tani nën rrënojat e ndërtesës, mes frikës se numri i të viktimave mund të rritet.
Zyrtarët në qytetin e rajonit Urals fajësuan një rrjedhje gazi për shpërthimin, ndërsa deri tani mungojnë 36 persona.
Gazi është lëndë që përdoret shumë në Rusi, sidomos për ngrohje dhe për gatim në temperaturat e ulta të dimrit.
Ekipet e shpëtimit kanë thënë se momentalisht e kanë ndërprerë aksionin e kërkimit për shkak të rrezikut për shembje të pjesëve të tjera të ndërtesës. Besohet se sigurimi i hapësirës do t'i marrë të paktën 24 orë kohë. Autoritetet po luftojnë me kohën për ta përfunduar operacionin e kërkimit sepse temperaturat zbresin edhe më shumë gjatë natës.
Ndërtesa e shembur ishte vendbanim për 120 njerëz, ndërsa nga shpërthimi janë shkatërruar 48 banesa. Një dëshmitar ka thënë se shpërthimi është shoqëruar nga një zjarr i madh. Ekipet e shpëtimit kanë arritur t'i nxjerrin nga rrënojat 16 persona të gjallë, në mesin e të cilëve ishin edhe shtatë fëmijë, shkruan BBC.
Por autoritetet janë në një garë kundër kohës për të gjetur të mbijetuarit, me temperatura që pritet të bien më tej gjatë natës.
Shpërthimi, i ndodhur në 6 të mëngjesit me orën lokale, besohet të ketë ndodhur në katin e parë, ku ndodhen disa zyra, ndërsa ndërtesa 7-katëshe u shemb më vonë. Edhe godina pranë saj janë dëmtuar gjithashtu. Qyteti i Magnitogorskut ndodhet rreth 1.700 km në lindje të Moskës.



