Rritja e çmimit të naftës, thuajse ka paralizuar transportin e qytetarëve, ku linjat e transportit publik kanë përgjysmuar mjetet dhe reduktuar orarin e qarkullimit.
Gazetari Besmir Pula, nga qendra e Tiranës, ku kalojnë pjesët më të mëdha të linjave të autobusëve të transportit publik, cilësoi si dy nga linjat më problematike Kombinat-Kinostudio, dhe Qendër-Sauk-Teg.
Një qytetar tha për mikrofonin e MCN TV se, po përballen me tejmbushje të mjeteve dhe pritje të gjatë në stacion.
Kam mbi gjysmë ore në stacion, pres autobusin e Kombinat-Kinostudio. Nga 500 veta në stacion, vijnë të tejmbushur urbanët. Ku të shkojmë, si marrim dot makinat, nafta ka shkuar në stratosferë.
Një tjetër qytetar deklaroi se në rast rritjes së çmimit të abonesë duke u dyfishuar, tha se , “Nuk do e blejmë, se nuk ka autobus. Nuk e përballojmë dot”.
Lidhur me kohën e pritjes një tjetër qytetar tha se presin nga gjysmë ore në stacion, pasi nuk ka autobus.
Në vend kanë nisur protestat që nga dita e djeshme, protesta që janë paralajmëruar se do të vijojnë çdo ditë dhe më e madhja pritet të jetë të shtunën ku u është bërë thirrje gjithë qytetarëve të vendit të mblidhen në Tiranë.
Një pjesë e qytetarëve u shprehën nga qendra e Tiranës ku prisnin urbanët, se do iu bashkohen protestave, pasi situata është bërë e papërballueshme.



